AUTIZMI Punim për detyrë kursi i studentes Najada Shllaku

 

    NAJADA SHLLAKU

  1.   Llojet e autizmit

Eksistojnë dy lloje te autizmit, sindroma e Asperger dhe sindroma e Kanerit. Sindroma e Asperger dallohet me një formë më të lehtë te simptomave të autizmit, ku edhe shanset e shërimit janë më të mëdha. Ndërsa sindroma e Kanerit veçohet si simptomatikë shumë e rëndë e autizmit dhe ku mundësia e shërimit është minimale. Është me rëndësi shumë të madhe diagnostifikimi i hershëm i autizmit dhe marrja e masave përkatëse mjekësore dhe edukative. Po ashtu për vetë prindërit të cilët kanë fëmijë autikë është me rëndësi njohja me simptomat e autizmit dhe llojet e diferencuara të tij. Do të fillojmë me sindromën e Kanerit (emri i studiuesit amerikan që bëri analizën e parë te simptomatikës së këtij lloji autizmi) i cili është i njohur edhe si autizmi i hershëm fëminor. Kjo për shkak të paraqitjes shumë të hershme në fëmijëri zakonisht prej moshës 2 vjecare (në disa raste mund të paraqiten edhe më herët por vështirësia e diagnostifikimit është shumë e madhe).

1.1.            Sindroma e Kanerit

Te ky lloj autizmi ka një veçanti se fëmija në dukje i “shëndoshë” fillon të frenohet në aspektin e sjelljeve, të komunikimit (verbal apo të folurit), të përqëndrimit, të lojës dhe interesimeve të pazakonshme të fëmijës, të ushqimit, me fjalë të tjera fëmija nuk sillet në mënyrë të zakonshme. Shumica e prindërve nuk kanë njohuritë e duhura për t’ia bërë te ditur këto sjellje të fëmijës mjekut të familjes. Vetëm kur sjelljet e fëmijës fillojnë dramatikisht të keqësohen atëherë dërgohet fëmija tek mjeku. Është me rëndësi të madhe që gjatë bisedës me mjekun prindërit të tregojnë me hollësira të gjitha problemet që i vërejnë tek fëmija me qëllim të informimit sa më të hollësishem dhe në një mënyrë që mjeku të ketë bazë për një diagnozë të drejtë. Si një nga simptomat e para të autizmit është shmangia e kontaktit me sy, ku fëmija i largohet çdo lloj kontakti me sy, si me fëmijët e tjerë po ashtu edhe me prindërit. Shpeshherë kjo shpjegohet në mënyrë të gabuar se “fëmija ka turp”, ku fëmija në vend që t’i përgjigjet kontaktit me sy shikon anash apo në shumicën e rasteve lart mbi kokën e personit kontaktues. Frenimi në të folur apo në disa raste edhe vonimi i të folurit është një prej shenjave të para të  sindromës së Asberger. Shfaqet kur sjelljet e përgjithshme janë të çrregulluara, sepse është normale që fëmijët kanë fillime të ndryshme në të folur. Ndodh që fëmija edhe mbasi ka filluar të flase, “harron” fjalët sa që arrin në atë pikë që nuk mundet të artikulojë asnjë fjalë, dhe fatkeqësisht në këtë gjendje mbeten tërë jetën, pra nuk janë më në gjendje të flasin. Me kalimin e kohës vërehen ndryshime të mëdha në sjelljet e fëmijës duke vërejtur se fëmija është shumë i tendosur, qan “pa arsye“; në dallim me fëmijët e tjerë ai nuk është në gjendje të luajë me lodra apo posaçërisht të luajë me fëmijët e moshës së vet, ku kërkon gjithnjë praninë e prindërve për të realizuar dëshirat e veta. Po ashtu fëmija nuk është në gjendje të kryejë veprime të pavarura si p.sh., nuk është në gjendje të luajë me top, ose të vendosë një figurë në vendin e duhur në tabelën përkatëse.

1.2.            Sindroma e autoagresionit

Mirëpo keqësimet nuk mbarojnë me kaq, fëmija ka probleme të mëdha të gjumit, që do të thotë nuk flenë herët në mbrëmje, por shumë vonë dhe me vështirësi, ku prindërit vihen në sprova të mëdha fizike dhe psikik. Po ashtu fëmija nuk fle tërë natën pa u zgjuar por me ndërprerje ku edhe çdo herë duhen përpjekje maksimale të prindërve për ta vënë në gjumë përsëri. Tek disa fëmijë paraqiten simptomat e autoagresionit (vetëlëndimit) ku me kalimin e kohës ata fillojnë në mënyrë dramatike të keqësohen edhe për shkak se duke u rritur, forca e tyre fizike rritet dhe rrjedhimisht pasojat e vetëlëndimit janë më të mëdha. Po ashtu problemi i pamundësisë që në mënyrë të pavarur të përdorë duart e veta shkaktojnë probleme të mëdha gjatë ushqimit ku shpeshherë prindërit duhet ta ushqejnë vetë fëmijën apo të jenë pranë fëmijës që ta ndihmojnë.

1.3.            Kaner

Në disa raste paraqiten edhe te ashtuquajturat stereotipe ku fëmija bën lëvizje të dorës në mënyrë rrethore apo lëvizje te përhershme të gishtërinjve në mënyrë të tendosur. Kjo paraqet probleme sidomos gjatë përqëndrimit në kryerjen e veprimeve të zakonshme. Pra, si përfundim mund të themi se Sindroma e Kanerit, paraqet formën e rëndë të autizmit, ku mundësitë për një shërim janë shumë të vogla, por kjo nuk do të thotë se nuk duhet të ndërmarrim asgjë për sa i përket shërimit dhe ndihmës në aspektin mjekësor dhe edukativ sepse faktikisht ekzistojnë mundësi të mëdha të lehtësimit dhe përmirësimit të gjendjes. Rol me rëndësi ka dhe diagnoza e hershme e autizmit në moshën 3-vjeçare ku edhe terapitë do të kenë më shumë sukses sesa kur ato fillojnë më vonë ku edhe efekti i terapisë është më i vogël. Duhet të jetë e qarte prindërit se ky lloj i autizmit kërkon maksimumin per t’i ndihmuar, për ta edukuar, për të jetuar në familje dhe po ashtu është një sprovë e madhe për tërë familjen, por duhet pasur kujdes që jetën nuk duhet ta kufizojmë vetëm me këtë problem sepse fëmija me këtë sëmundje kërkon babë, nënë, motër, vëlla të cilët gjithmonë do t’i vijnë në ndihmë.

Në fund do të përmbledh me fjalë të shkurta tiparet e sindromës te Kanerit:

-          Të folurit: pak ose aspak.

-          Aftësia të kryejë veprime të pavarura (pak apo shume e kufizuar),

-          Izolimi në vetvete, ku nuk ekziston apo është shumë e kufizuar dëshira për të komunikuar me personat e tjerë (prej edhe vjen emri Autizëm: i mbyllur në vetvete). Sa i përket shkallës së inteligjencës së fëmijëve me autizëm duhet përmendur se kjo është e ndryshme, ku ka raste që kanë inteligjencë të lartë me talente dhe interesime jo të zakonshme (si p.sh., interesimi për numrat, për planet e udhëtimit) mirëpo fatkeqësisht fëmijët me sindromën e Kanerit kanë inteligjencë pak më të ulët se normalja.

 

1.4.         Sindroma e Asperger

Sa i përket formës më të lehtë te autizmit, sindromës së Asperger, duhet të vihet re se kjo formë është e lehtë si në aspektin e shfaqjes së simptomave e po ashtu për sa i përket shërimit te vetë sëmundjes. Fillon po ashtu pas moshës 2 vjeçare me paraqitjen e sjelljeve tipike të autizmit, pra duke u përqëndruar në vetëm një veprim, duke lëvizur të gjitha objektet në formë rrethi pa marrë parasysh se a është i përshtatshëm (si p.sh. një katror apo një libër), me probleme në të folur ku ka raste që deri në moshën 3-vjeçare nuk flasin. Gjithashtu paraqiten forma më të lehta të vetëlëndimit si dhe një tendencë që në rast të mosrealizimit të dëshirës të paraqiten shpërthime të mllefit në mënyrë ekstreme. Mirëpo çka e bën të ndryshojë këtë lloj të autizmit nga forma e rëndë e autizmit, është se fëmija ka kompetenca më të mëdha në aspektin social dhe komunikativ, çka do të thotë se fëmija nuk është shumë i kufizuar gjatë krijimit të kontaktit në familje dhe jashtë saj. Po ashtu të folurit vetëm në fillim mund të ketë problem (fillimi i vonshëm), pastaj të folurit është normal. Një fëmijë me këtë sindromë dallohet më tepër me problemet që i ka gjatë kontaktit me fëmijët e tjerë, ku shumë veshtirë e ka të lidhë shoqëri apo thjesht të luajë me moshatarët e vet, sepse ndodh shpesh konflikti, e po ashtu fëmija shpreh dëshirën të luajë vetëm. Po ashtu kur luan ka një specifikë që fëmija dëshiron që lodrat t’i rradhisë në rregulla shumë të qarta dhe gjithnjë në rradhitje të njëjtë. Inteligjenca që zotërojnë është në nivel të normales, por një pjesë e madhe zotëron inteligjencë të lartë çka edhe ndihmon në jetën e përditshme që të kenë një status të veçantë në shoqëri duke konsideruar se ata janë “disi të tjerë” por si mjaft të aftë (aftësia e madhe për matematikë dhe për shkencën në përgjithësi).

 

1.5.            Shkaqet

Përkundër përpjekjeve të shumta që po bëhen për gjetjen e kromozomit “fajtor” duke hulumtuar materialin gjenetik tek binjakët të prekur nga autizmi apo duke hulumtuar materialin gjenetik të fëmijëve të prekur nga autizmi që janë të një familje (mundësia që autizmi të paraqitet përsëri në një familie që ka një fëmijë autik është më e madhe se sa ato që nuk kanë) parashikohen së paku 10 vite për arritur deri te një rezultat për rolin e gjeneve për autizmin( Volkmar et al., 1994). Po ashtu në kohet e fundit në SHBA është duke u përmendur me të madhe se shkaktari i autizmit është vaksina që jepet kundër (në gjuhën angleze) mumps, rubella, varicella që jepet si kombinim, mirëpo deri tani nuk ka prova të qëndrueshme që vërtetojnë këtë pohim. Një prej teorive më bindëse është ajo e cila e sqaron autizmin. Si pasojë e moskomunikimit të qelizave të trurit (neuroneve), ku secila qelizë (neuron) përbëhet nga dendritet (bëjnë pranimin e informatave) dhe nga aksoni (bën bartjen e informatave në qelizën tjetër). Kjo shihet më së miri duke vëzhguar fëmijët me autizem, ku vërehet se ata shumë çka e kuptojnë (pra pranimi i informatave bëhet) mirëpo problemet paraqiten gjatë realizimit deri në fund (informata e pranuar nuk do të bartet më tutje deri në realizimin pëfundimtar). Duke pasur parasysh se ekzistojnë afër 100 miliarda qeliza nervore (neurone) është shumë i vështirë përcaktimi dhe identifikimi i qelizave që nuk janë në gjendje të kryejnë pranimin apo bartjen e informatave. Zbulimi i para disa viteve të neuroneve “pasqyrë” (mirror neuron apo spiegelneurone) do të ndikojnë në gjetjen e shkaktarit të autizmit, ku supozohet se këto neurone speciale kanë aktivitet të pakët dhe të kufizuar tek personat me autizëm. Neuronet “pasqyrë” luajnë rol në kuptimin e veprimeve të personave të tjerë, në imitim, në të folur, në ndjenja dhe në vetë mendimin, të gjitha këto, deficitet kryesore të personave.

 

1.6.            Trajtimet

Autizmi mendohet nganjëherë si një sëmundje e pashërueshme, megjithëse ky mendim është i diskutueshëm. Ka shumë terapi autistike me synime të ndryshme, p.sh. të përmirësimit të shëndetit dhe mirëqënies, problemeve emocionale, shqisore, vështirësive me mësimin dhe komunikimin etj. Sa i përket trajtimit të autizmit, ka shumë terapi që aplikohen duke u nisur prej metodave edukative dhe duke perfunduar me medikamente.

Secila formë do të përdoret, varet së pari prej qëllimit që e parashtrojmë se në cilën simptomë duam të ndikojmë si p.sh., tek problemet me të folur duhet t’i bëhen terapitë tek logopedi, tek problemi me ndjenjën e vetë trupit dhe ambientit terapik i bën ergoterapisti, tek problemi me autoagresione, problemet me gjumin, shumë efikase jane treguar medikamentet që e zbusin gjendjen por jo që ta sherojnë përgjithnjë. Në vendet perëndimore bëhen përpjekje që masat edukative dhe trajtimi të bëhet në shkolla të veçanta për fëmijë autikë (Denckla, 1983; Voeller, 1986), ndërsa trajtimi me medikamente bëhet prej psikiatrave me shumë përvojë me qëllim të dozimit me kujdes dhe mënjanimin e pasojave të mundshme.

Sa i përket masave edukative janë disa lloje të trajtimit prej të cilave më efikase është treguar metoda e “mbështetjes” (Bishop, 1989. Metoda e mbështetjes kryhet kur pedagogu apo edhe prindi vihen prapa fëmijes duke i mbështetur duart e fëmijës në fillim me më shumë forcë e që me kalimin e kohës duke zvogëluar forcën e mbështetjes në mënyrë që fëmija të bëjë veprime të pavarura. Duke pasur parasysh gjendjen e vështirë të fëmijës lypet një punë me afat të gjatë dhe me durim, së paku 5 vjeçare që të shihen rezultatet e para ku fëmija është në gjendje të kryeje disa veprime të vogla të pavarura. Në punën me fëmijët me autizëm është me rëndësi krijimi i rregullave të qarta të cilave duhet pëmbajtur në mënyrë rigoroze me qëllim që duke përsëritur çdo ditë fëmija do ta ketë më lehtë ta përvetësojë materialin mësimor. Kjo bëhet si p.sh., para fillimit të mësimit fëmijës i tregohet nëpërmjet tabelës se çfarë do të mësohet sot dhe pastaj çdo përfundim i punës do të tregohet në tabelë. Po ashtu edhe orari javor duhet të përpilohet në mënyrë që t’i ofrohen materiale të ndryshme mësimore si gjuha amtare, matematika, dituri natyre, muzikë, sport dhe formate të tjera mësimi, të gjitha këto duke pasur në konsideratë aftësinë e kufizuar të mësimit.

 

Bibliografia

American Psychiatric Association, Diagnostic and Statistical Manual of Mental Disorders, (4th edition), American Psychiatric Association, Washington, D.C., 1994

Asperger H. (1944), Autistic psychopathy in childhood, translated in Frith U., Autism and Asperger’s Syndrome, Cambridge University Press, Cambridge, 1991

Bishop D.V.M. (1989), Autism, Asperger’s Syndrome and Semantic-Pragmatic Disorder. Where are the boundaries?, British Journal of Disorders of Communications, 24, 107-121

Denckla M.B. (1983), The neuropsychology of social-emotional learning disabilities, Archives of Neurology, 40, 461-462

Kanner L. (1943), Autistic disturbances of affective contact, Nervous Child, 2, 217-250

Rourke B., Nonverbal learning disabilities: the syndrome and the model, Guilford Press, New York, 1989

Voeller K.K.S. (1986), Right-hemisphere deficit syndrome in children, American Journal of Psychiatry, 143, 1004-1009

Volkmar F.R. et al. (1994), DSM-IV Autism/Pervasive Developmental Disorder field trial, American Journal of Psychiatry, 151, 1361-1367

Wing L. (1981), Asperger’s Syndrome: a clinical account, Psychological Medicine, 11, 115-129

 

No comments.

Leave a Reply