ÇRREGULLIMET EMOCIONALE NE TRANZICIONIN DREJT MOSHËS MADHORE

Joniana Merjo

Redaktoi: Ana Saja

Me moshën madhore të njeriut, nënkuptojmë  përfundimin e adoleshencës  si një  shkëputje nga periudha e fëmijërisë (12-18 vjeç). Gjatë këtij tranzicioni të kalimit nga fëmijëria në  adoleshencë, kemi tashmë të zhvilluar vrullshëm ndryshimet fizike, përfshirë këtu pjekurinë seksuale.

Disa nga ndryshimet e dukshme fizike:

1-      Ndryshimi i shpejtë në gjatësi dhe peshë

2-      Asinkronia e zhvillimit (rritja e pjesëve të ndryshme të trupit me ritme të ndryshëm)

3-      Nuk kemi ndonjë ndryshim themelor në trurin e njeriut (ai është stabilizuar që aty rreth moshës 10 vjeç)

4-      Ndryshim në shpërndarjen e qelizave muskulore e dhjamore

5-      Forca

6-      Ndryshimet në ritmin bazal të metabolizmit

7-      Kapaciteti vital

Po kështu, kemi tashmë zhvillimet e karakteristikave parësore dhe dytësore seksuale. Në aspektin psikologjik, janë pësuar gjithashtu ndryshime të mëdha; është zhvilluar identiteti, të menduarit logjik e abstrakt. Synohet pavarësia prej familjes dhe krijimi i lidhjeve të ngushta me moshatarët. Eshtë pikërisht përfundimi i kësaj periudhe për të hyrë në një tjetër stad  në jetën e njeriut e që shënon kalimin në moshën madhore (që është edhe një nga periudhat më të rëndësishme në jetën e individit).

Vargu i strukturave ose kontekstet (siç i quan edhe studiuesi, Uri Brofenbrener) janë rrënjosur  dhe janë vetë përbërja e zhvillimit të njeriut. Nuk mundemi të mos e shohim të  lidhur ngushtë  individin dhe zhvillimin e tij psikologjik jashtë këtyre niveleve mjedisore që janë :

- Mikrosistemi (ambienti  familjar)

- Mesosistemi (marrëdhënia pozitive apo negative që ka njeriu në mikrosistem)

- Ekosistemi (transmetimi apo përcjellja tek individi nga gjendja ndikuese e elementëve brenda mikrosistemit)

- Makrosistemi (modeli i jashtëm)

Edhe pse, ky varg strukturash duket se është më shumë i lidhur gjatë fëmijërisë, është po aq i shoqërueshëm në jetën e njeriut edhe në periudhat e tij të mëvonshme, ndoshta me një shkallë më të ulët pavarësie ndaj tyre, por gjithsesi, i pandashëm në rrugëtimin e individit.

Jemi në moshën e quajtur, post-adoleshenca, mosha ku njeriut i duhet të vendosë në zbatim planet e vendosura prej tij si ide që në adoleshencë, të stabilizojë e pozicionojë veten në anën sociale të shoqërisë ku jeton, lidhjet intime, zgjedhjen e profesionit, pavarësia ekonomike, zgjedhja e partnerit e më pas të vendosë nëse do të jetë prind, të martohet (gjë që mundet edhe  të  përfundojë me divorce dhe rimartesa). Të gjitha këto, janë vendime që ndikojnë në cilësinë e jetës më vonë, prandaj janë “detyra” të vështira që nuk mund të kalojnë lehtë e pa ndjerë peshën e çrregullimeve emocionale. E quajmë një periudhë të vështirë e me çrregullime sepse kemi të bëjmë me një profil të individit që gjendet e duhet të përballet me realitetin në anën sociale (kultura, vendi ku jeton, njerëzit me të cilët është në marrëdhënie të përditshme, familjare apo shoqërore) e nga ana tjetër, tiparet e tij psikologjike, kërkojnë si adaptimin po ashtu edhe vetëpranimin e asaj që ky individ përfaqëson. Disa nga problemet me të cilat post-adoleshenca përballet janë:

- Kërkesa e tyre për të vendosur marrëdhënie autentike.

- Kërkimi i të vërtetës

- Lufta e tyre e brendshme (e manifestuar edhe jashtë) për të braktisur ideologjizmat e vjetra (të   brezave të mëparshëm)

- Individualizmi

- Rreziku i rënies në përputhje me modelet

- Ndërtimi i lirisë së tyre duke filluar me arsyen për të jetuar

- Frika për të prezantuar veten

- Dyshimet për ekzistencën e idesë në angazhime emocionale etj.

Të gjitha këto probleme krijojnë ato pasiguritë dhe çrregullimet e tjera, të ndikuara fuqishëm nga  konteksti social që shpesh është kontradikta më e madhe që pengon zhvillimin e njeriut, ecurinë  e tij, duke u bërë pengesë që të rinjtë e kësaj moshe të arrijnë të plotësojnë ambiciet e tyre.

Në këtë moshë, edhe pse zhvillimi psiko-fizik është në kulmin e vet, individualiteti shpesh është  i luhatshëm sepse ndodh korruptimi nga mjedisi përreth që është edhe i pashmangshëm përsa kohë ky individ është i kufizuar (veçanërisht nga ana ekonomike). Tashmë i riu është njeriu i qëllimeve, përkushtimeve dhe atashimeve që bëjnë produktivitetin por është edhe ajo qenia e brishtë me pafuqinë mbi realitetin, kur shikon se ëndrrat e tij bien poshtë. Ai nuk mund ta realizojë veten ashtu siç e kishte projektuar. Kjo ndodh për shkak të mos kordinimit të atij personaliteti që ai ka të zhvilluar, me pjesën sociale, ku jeta e tij është në marrëdhënie të ndërsjelltë. I riu i kësaj moshe nuk përjeton më traumat e adoleshencës por kalon në faza të tjera zhgënjimi ku ndërthur e prodhon brenda vetes dozat e fajit, mbi veten dhe ambientin përreth duke mos ja kursyer edhe sjelljen e mbushur me mllefe dhe reagime, simptomat e para të atij çrregullimit emocional të pësuar.

(Më sipër u përmendën disa nga problemet me të cilat kjo moshë përballet. Po marrim më hollësisht trajtimin e tyre me qëllim të kuptojmë pse ndodhin çrregullimet emocionale në këtë grupmoshë, dhe, përse ky tranzicion është i vështirë, shpesh edhe i pakapërcyeshëm duke e lënë njeriun pasiv dhe joproduktiv për gjatë gjithë jetës së tij).

2.1. Individualizmi

Ndoshta është ky, tipari më i rëndësishëm psikologjik që çon njerëzit në kriza apo çrregullime e që nuk mbyllet ndonjëherë vetëm në periudhën e adoleshencës, post adoleshencës, por, për arsye nga më të ndryshmet (të përmendura disa, edhe më sipër, tek zhvillimi kontekstual) zgjat edhe  gjithë jetën.

Por çfarë ndodh në moshën post-adoleshencë, e përse është më i theksuar ky fenomen?

Në adoleshencë, supozohet se kemi zhvilluar deri diku të plotë identitetin tonë fizik dhe mendor, tani, në post-adoleshencë është koha e përfshirjes së këtij identiteti, duke përcaktuar trajtat e jetës në bazë të modelit të vetëkrijuar, të pa imitueshëm. Por, pikërisht kjo, sa është e mundur tek individi, veçanërisht tek i riu? Pse nuk është e lehtë të krijohet e shfaqet ky individualizëm i çdokujt, brenda grupeve, komuniteteve, ambienteve tona sociale ku jetojmë? Edhe pse shpesh “predikohet” me pozitivitet për ta lënë të lirë zhvillimin individual (karakteristikë e ndryshme) tek një njeri, në të vërtetë hasim me një mur që ndërton, apo shoqëria ka ndërtuar (rregullat e saj) dhe i cili, vështirë të kapërcehet, pasi modeli i ndjekjes nga pasardhësi apo elementi i shoqerisë, ende është një mit i parrëzuar plotësisht. Ky është edhe zhgënjimi i parë me veten: paaftësia për të dalë nga korniza kolektive! (Tendenca për t’i lënë vend hapësirës së zhvillimit individual, kthehet në lak).

(Por, si problematikë e moshës post-adoleshente, individualizmi përkon edhe me individualizmin profesional. Psh; një individ i punësuar diku, ka idetë e tij të veçanta të cilat mund të sjellin progres, por ndodh që është dicka e re, e panjohur, që tek të tjerët ngjall frikë për ta pranuar, atëherë, tek personi individualist në këtë fushë, shfaqet ndjenja e pakënaqësisë, e zemërimit dhe e reagimit).

Shpesh, ne vërejmë këtë fenomen duke parë njerëz që e kanë të zhvilluar individualitetin e tyre, të shikuarit e vetes jo më si pjesë e zinxhirit njerëzor, me veprime të ndërvarura nga “rregullatorët” e ndërtimit të ligjeve mbi shoqërinë, por si qenie e lirë, e ndërgjegjshme për  veten me aftësitë dhe kontrollet që ka, me rregulla të vendosura nga vetë ai, me rrugë të zbuluara e të shkelura  nga vetë individi, gjë që e bën të sigurt dhe e çon atë dalëngadalë drejt realizimit si qenie, në rrafshin tërësor të zhvillimit të tij.…Kur shohim këtë, shohim edhe se individualizmi i pacunguar dhe i zhvilluar në mënyrë të shëndetshme, është gjithashtu, çelësi që proçeson në mënyrën  e duhur, vazhdimësinë e  zhvillimit të mëtejshëm, (psikologjik dhe social)  te  njeriu.

2.2. Rreziku i rënies në përputhje me modelet

Ky nuk është vetëm rasti tipik i imitimit që zakonisht shoqëron adoleshentët (kur ende s’kanë   formuar e zhvilluar mirë një personalitet të vetin) dhe identifikohen me modelet apo mitet e botës së artit, modës, muzikës. Ky është një fenomen që mbartet nga mikrosistemi, nga ky mjedis familjar që në shumë raste, vështirë të braktiset për ta kaluar veten në një nivel tjetër më superior apo edhe e kundërta, më inferior jashtë nivelit të tij mjedisor. Pra kemi një rrezik të ecurisë zhvillimore për shkak se, racionalja mund të jetë trashëguar në formën edukative apo  ndoshta edhe një trashëgimi  gjenetike, kur bëhet fjalë për proceset e zhvillimit psikologjik. (Kjo e fundit, jo domosdoshmërisht është e theksuar, këtu u jam referuar studimeve për rastet depresive që janë bërë dhe kemi statistika të mjaftueshme për të pranuar se shumë modele të tilla, transmetohen). Gjithsesi, përsa i përket modelit, jo gjithmonë është pjesë e problematikës, ka raste kur modeli, prania e modelit pozitiv ndikon në produktivitetin e të riut post adoleshent.  Ky lloj modeli, është nxitës dhe e kthen individin drejt një jete aktive, duke e pasuruar apo zhvilluar elementet e personalitetit. Modeli shoqëron jetën e individit për shkak se është një kontakt i pashmangshëm për njeriun social. E rëndësishme në këtë marrëdhënie, individ-model, është ruajtja e ekuilibrit që të mos ndodhë shpërbërja e të parit nga efekti i modelit, pra modeli të mos “frikësojë” individin, të mund të shihet vetëm si mundësi zhvillimi, përmirësimi e plotësimi  duke mësuar prej tij, atë mënyrë edukimi në shërbim të ndryshimit që i nevojitet individit, por jo duke u identifikuar me të.

2.3. Kërkesa e tyre për të vendosur marrëdhënie autentike

Të rinjtë e kësaj moshe, hasin vështirësinë e vendosjes së marrëdhënies së barabartë, marrëdhënies së vërtetë mes vetes dhe të tjerëve. (Këta të rinj, kanë ende të ndërtuar në imagjinatën e tyre atë botën e tyre idealiste).

Kjo nuk është e lehtë për t’u realizuar për arsye se kemi mospërputhje idesh, formimesh, kulturash të ndryshme, konflikte rreth përshtatjes midis tyre dhe brezave të tjerë, midis tyre dhe grupeve të tjerë po adulte por që kanë statuse të ndryshëm shoqëror, kulturor dhe edukativ. Në këto raste, të rinjtë shpesh përjetojnë ndjenjën e frustracionit. Spontaniteti i sjelljes së tyre tashmë has në vështirësi për ta vendosur këtë marrëdhënie. Përballja me realitetin i bën më të përgjegjshëm por duke qenë se njëkohësisht ende jetojnë me iluzionin e ndërtimit, qëllimit të përbashkët, sakrifikimit të tyre për interesa të shoqërisë, nuk është ajo autentikja, pa bazat e interesit në mes (çfarëdo interesi qoftë ai, material apo shpirtëror) bën që këta të rinj të përjetojnë faza çrregullimesh emocionale të cilat manifestohen pastaj me një sjellje rebele ndaj të tjerëve dhe abuzive ndaj vetes. Me sjellje rebele kemi parasysh thyerjen e limiteve të sjelljes normale që ata kanë patur në familje apo mjediset ku bëjnë pjesë dhe tashmë e konsiderojnë si një nënshtrim. Egoja e tyre (ndoshta herë-herë dhe nje ego e justifikuar) ngre kokë nga pamundësia e adaptimit, e të bërit veten, pjesë e vërtetë e një marrëdhënieje sociale, ku atyre t’u vihet re, individualiteti dhe personaliteti i tyre. Po keshtu, kjo periudhë çrregullimesh me abuzimin ndaj vetes reflektohet në përdorimin e alkolit, lëndëve narkotike, pjesëmarrje në sekte të ndryshme ku ndodhin lëndime fizike me vullnetin e vetë këtyre të rinjve. Kjo për shkak se ndodhen në një pikë ku janë të paqartë për rrugëdaljen apo zgjidhjen e duhur të problemeve, në lidhje me integrimin e tyre  brenda shoqërisë.

2.3.1. Kërkimi i të vërtetës

Si një koncept të përkufizuar letrarisht, të vërtetën do e quanim mirëqenie shpirtërore. Në kërkim të kësaj gjendjeje, të rinjtë janë vazhdimisht duke kërkuar ta stabilizojnë veten, duke kaluar shpesh nëpër eksperienca dhe pritshmëri të shumta prej këtyre eksperiencave. Ata mund të jenë  duke vazhduar një fakultet që e kanë dëshiruar, mund të jenë të punësuar apo vetëpunësuar diku por vazhdimisht, janë nën presionin psikologjik nëse është bërë zgjedhja e duhur apo ende nuk është bërë kristalizimi definitiv i asaj çka duan në të vërtetë. Të rinjtë e moshës madhore,   gjenden në një kaos mendimesh sepse ndoshta kanë moskordinim apo nuk janë në harmoni të plotë veprimtaria e tyre me atë që, në të vërtetë priren dhe duan të bëjnë. Këta të rinj, janë në  gjendje të vlerësojnë veten dhe po ashtu terrenet sociale ku janë të përfshirë apo angazhuar. Brenda këtij vlerësimi e njohjeje vetjake dhe kolektive, kemi prirjen e ndryshimit si domosdoshmëri e kërkuar nga personaliteti i tyre i brendshëm. Ndodh të kemi çrregullime jo aq për shkakun se të rinjtë e kësaj moshe nuk kanë zbuluar të vërtetën mbi atë çka duan, por më shumë, mbi vënien në jetë të atyre planeve ku konsiston edhe veprimtaria e tyre kërkuese dhe njohëse.

2.4. Frika për të prezantuar veten

Në post-adoleshencë janë mbyllur proceset e ndryshimeve të zhvillimit biologjik dhe atij konjitiv e jemi në vazhdimësi, gjithnjë, të zhvillimit emocional. Gradualisht, individi ka hyrë më thellë  drejt orientimit social ku ndihet pjesë e një grupi dhe identifikon e përball veten me të tjerët në   gjithë aspektet. Është koha ku vihet në punë gjithçka e asimiluar dhe akomoduar tek ai. Del në pah vetëpërmbajtja, ndërveprimi, perfeksionizmi i të menduarit si proces, por këtë e vendos në  funksion të asaj përshtatjeje për t’u pranuar prej të tjerëve,  për të lejuar apo jo manipulimet prej marrëdhënieve ku tashmë është i vetëdijshëm (përfshirë këtu mos’ekzistencën e atij standartit  idealist të dikurshëm që lind në adoleshencë). Ky i ri është ndryshe, është midis adoleshentit dhe të rriturit, midis kërkesave që ka për lirinë e tij dhe përgjegjësive si qenie madhore, e gatshme për të marrë në duar e për të përpunuar gjithë projektin jetësor të tij duke pranuar edhe konformizmin si element jetësor, gjë që shenjon një ndryshim themelor tek kjo grupmoshë, sepse përmbys gjithë rendin e asaj bote që ai ka krijuar gjatë periudhes së adoleshencës. Kjo është drama e brendshme që pësojnë personat në post-adoleshencë. Gati-gati, atij i duhet të rindërtojë veten nga e para, pasi ka një rikthim të krizës mbi identitetin e vet përballë jetës. Pra, e gjithë  frika për prezantimin e vetes, nuk është tjetër veç pasiguria e asaj njohurie që ka në zotërim, e atij zhvillimi psikosocial që tashmë i ka ardhur koha e provës, provë kjo që përcakton (varet nga suksesi apo dështimi) nëse ky individ është i pranueshëm si një i aftë për të qenë pjesë evidente dhe e dobishme e shoqërisë e mjedisit ku (ndër)vepron.

2.5. Dyshime mbi  angazhimet  emocionale

Një tjetër përjetim që shkakton çrregullime emocionale tek të rinjtë e moshës madhore, është angazhimi emocional në aspektin intim. Në këtë moshë kanë kaluar eksperiencat e para seksuale, kanë kaluar emocionet dhe janë të njohura përjetimet e dashurisë dhe vjen integrimi i plotë social ku përfshihet rëndom edhe martesa. Pra përgjegjësia e zgjedhjes së partnerit. Kjo gjë sjell  kontradikta shpesh mes ndjenjës dhe arsyetimit. Tjetër faktor i këtyre shqetësimeve në këtë pikë, mund të jenë zhgënjimet në eksperienca, shpirtërore apo seksuale. Befas i riu ka pasiguri ndaj vetes nëse është i aftë të përkushtohet e të jetë përgjegjës në një lidhje që rrjedhimisht bëhet përgjegjës gjithashtu edhe për jetën e tjetrit. Pasiguria qëndron edhe ndaj partnerit që do të zgjedhë apo ka zgjedhur tashmë. Eshtë pasiguria ndaj një jetese në mënyrë krejt të ndryshme, ku indirekt kalohet në “varësi” duke u përpjestuar vetja në kube përgjegjësish. Ky individ i kësaj grupmoshe ka frikën e mospërshtatjes e kjo çon në mosfunksionimin e asaj çka njihet si qëllim final, pra, martesa. Tjetër faktor i këtij çrregullimi emocional janë martesat e modelit familjar,  modeli i çiftit që transmetohet nga prindërit e tij. Në disa raste ky është një model që dëshiron të  ndiqet apo së paku nuk përcjell dhe transmeton frikën dhe pasigurinë kur ka një martesë ka funksionuar mirë, dhe ky i rritur ka grumbulluar përshtypjet e veta pozitive mbi martesën. Rastet që përçojnë dukshëm pasiguri, frikë, luhatje e pavendosmëri deri në çrregullime pastaj të plota (si ndjenjat e përçmimit, urrejtjes, neverisë e agresivitetit ndaj partnerit) vijnë më së shumti kur modeli prindëror në martesë ka qenë i dështuar, një martesë që s’ka funksionuar mirë apo që ka përfunduar në divorc. Në këto raste kemi mbartje emocionale prej eksperiencës negative ([jo direkte] të provuar prej tyre) kemi çrregullime edhe më tronditëse pasi frika rikthen përjetime të njëjta.

Emocionet në normalitetin apo çrregullimin e tyre janë  të shoqëruara pothuaj gjithmonë  nga motivacionet qe ne kemi. Prandaj edhe në grupmoshën e trajtuar më siper, kemi emocione të crregullta, sepse motivacioni  si qëllim në vetvete,  është  ai ngacmuesi që krijon  pështjellime kaq komplekse e që janë të vështira për tu kuptuar , së pari nga vetja e po ashtu edhe nga të tjerët. Emocionet me gjithë format e shprehisë tyre janë nje tregues i zhvillimit psikologjik te njeriu. Mënyra si ky individ reagon dhe shpreh emocionet e tij,tregon edhe përshkallezimin e cdo niveli të formimit të tij.

Bibliografia:

Alvin M. Frid, Osman Allkja (përkth.), “Analizë transaksionale për seritë e çdokujt: a.t. për adoleshentët dhe njerëz të tjerë të rëndësishëm”, Tiranë: Geer, 2007;

Adele Faber, Elaine Mazlish, Artan Miraka (përkth.), Sejdin Cekani (red.), “Si të flasim me adoleshentët”, Tiranë: Spektër, 2005;

Elisabeth Fenwick, Tony Smith, Kristina Jorgaqi (përkth.), Rezarta Reso (red.), “Adoleshentët dhe seksualiteti: udhërrëfyes për adoleshentët dhe prindërit e tyre”, Tiranë: Ombra GVG, 2005;

Arian Kadiu, Qazim Kashari (red.), “Adoleshentët dhe tranzicioni”, Tiranë: Fllad, 2000;

Zyhdi Dervishi, Pandeli Koçi (red.), “Adoleshentët, bashkëjetesë me demonët e konflikteve”, Tiranë: Jerusalem, 2001;

Ferit Shehu, “Probleme të adoleshentëve”, Tiranë :Eurorilindja, 1998;

Edmond Dragoti, Petrit Hajdini (red.), “Adoleshenti : vështrim socialpsikologjik i fillimeve të adoleshencës”, Tiranë :Hipokrati, 1994;

Ndue Kaza, Sali Hamzaj (red.), Q. Sokoli (red.), “Adoleshenca, stina e shpërthimeve”, Tiranë: Geer, 2006;

Fatmira Myteberi (red.), “Adoleshentët : të konfliktuar apo…?!”, Pogradec : DIJA Poradeci, 1998

 

 

No comments.

Leave a Reply