Renditje historike, Kombëtarja Shqiptare ngjit 16 pozicione në renditjen botërore dhe 7 në atë të UEFA- S

Kombëtarja shqiptare e futbollit ka bërë një hov të ndjeshëm prej 16 pozicionesh njëherësh duke u ngjitur ne vendin e 48-të në renditjen e FIFA-s, pozicioni më i mirë në historinë e saj. Meritë e kësaj ngjitje është padyshim fushata e suksesshme në eliminatorët e Botërorit 2014, me fitoren në transfertë kundër Norvegjisë pak javë më parë, si dhe fitoren pak ditë më vonë në miqësoren kundër Lituanisë.

Falë fitores me Norvegjinë, Shqipëria ka fituar 16 pozicione në renditjen botërore, dhe çfarë është më e rëndësishme, ka fituar 7 pozicione në renditjen e UEFA-s, duke marrë tashmë vendin e 25-të në klasifikimin kontinental.

Është pikërisht pozicionimi në klasifikimin kontinental që ndikon në ngjitjen një vazo më lart në hedhjen e shortit për Kampionatin Evropian të vitit 2016, ndaj renditja sa më e mirë në UEFA ndihmon kuqezinjtë që të sigurojnë edhe një short më të lehtë në letër.

Ndër ekipet e tjera të grupit ku bën pjesë përfaqësuesja shqiptare në eliminatoret e Botërorit 2014, Zvicra mban vendin e 15-të në Botë (-1), Norvegjia vendin e 30-të (-1), Sllovenia vendin e 55-të (+1), Islanda vendin e 73-të (+19) dhe Qipro vendin e 123-të (+10).

Renditja botërore vazhdon të kryesohet nga Spanja, e ndjekur nga Gjermania dhe Argjentina. Duhet theksuar se vendin e katërt e mban Kroacia, ndërsa Franca dhe Brazili kanë pësuar rënie tjetër në këtë klasifikim, pasi evropianët janë të 18-tët, ndërsa organizatorët e Botërorit 2014 kanë rënë në vendin e 19-të. (LajmeShqip.com)

No comments.

Leave a Reply